Bujar Kapexhiu: ju tregoj si e vë në lojë hipokrizinë, veset dhe babëzinë e politikanëve

Artsiti i njohur ekspozon në Durrës disa nga veprat e tij në karikaturë.

“Kapexhiu është shndërruar edhe vetë (sidomos me ato diçiturat e gjetura me dy a tri fjalë, e që thonë aq shumë) në një analist të pagabueshëm me ndershmërinë, çiltërsinë, guximin, largpamësinë dhe pa anshmërinë e tij…”

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

Pas suksesit të disa ekspozitave dhe botimit të librave – albume, respektivisht me nga 350 krijime mjaft të arrira, të titulluara “Për një karrige”, “Ngërç” dhe “Kthesë”, artisti i merituar dhe mjeshtri i madh Bujar Kapexhiu, erdhi për të paraqitur disa nga veprat e tij në karikaturë në qytetin e Durrësit, ku ai ka fillesat e kësaj gjinie, kur qe emëruar në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, por që më shumë mbahej mend nga filmi i xhiruar, ku luante rolin e Bepinit, djalit të mamasë që e turbullonte deti dhe që i trembej klithmave të kapter Ramiut. Dhe kur njerëzit kuptuan se “ajo ishte lojë” dhe vetë ai ishte jo vetëm burrë me mustaqe, por dhe intelektual me kurajo të madhe qytetare që aspironte për liri dhe demokraci të vërtetë, si të gjithë shqiptarët edhe durrsakët e vlerësuan dhe e deshën akoma më shumë këtë artist disaplanesh. Ndaj, u ndienë të nderuar që e kishin midis tyre këtë autor të karikaturave të zgjuara, të skicuara nga një dorë e sprovuar, nga një sy i vëmendshëm dhe zhbirues dhe një mendjeje të kthjellët të faqeve të para të një të të përditshme. Maja e mprehtë e lapsit të Kapexhiut, në një mënyrë a në një tjetër, i cek, qoftë dhe shkarazi, politikanët e të gjithë krahëve dhe të gjitha ngjyrave. Me humorin e tij të hollë dhe shpotitës, pa asnjë ligësi, madje do të thoshja, me një sinqeritet dhe dashamirësi të pazakontë njëkohësisht, ai duke kthyer farsat e tyre në komedi. Kur e pyet Kapexhiun per eskpozitën e tij, ai buzagaz të thotë: Ekspozita jo vetëm evidenton inflacionin mbisundues të hipokrizisë, veset, etjen për lavdi, por edhe babëzinë për pasuri dhe pangopësisë me pushtet.”

Kapexhiu është shndërruar edhe vetë (sidomos me ato diçiturat e gjetura me dy a tri fjalë, e që thonë aq shumë) në një analist të pagabueshëm i cili me ndershmërinë, çiltërsinë, guximin, largpamësinë dhe pa anshmërinë e tij, është ku e ku më dinjitoz dhe i besueshëm, se shumë nga grafomanët koniukturalë që teksa tjerrin biseda pafund, nuk na thonë asgjë. Ja pse, sa herë hedh sytë te krijimet e tij, ashtu vetiu më vinë ndërmend fjalët e atij kritikut iranian, të thëna për rebelin e pandreqshëm Omar Khajam se “ai dënoi gjithë universin e krijuar mbi të padrejtën me
fjalë që buronin nga një intelekt me të vërtetë human” i cili “shprehu një dyshim ironik ndaj iluzioneve të kota.” Sot duhen marrë seriozisht fjalët e thëna dikur me shaka nga Oskar Uajdlli se “Ndryshimi ndërmjet gazetarisë dhe letërsisë është se gazetaria nuk lexohet dhe letërsinë nuk e lexojnë.” Si duket, këtë të vërtetë të hidhur e ka mësuar para të tjerëve Bujar Kapexhiu, ndaj dhe ka zgjedhur të flasë me lexuesit me gjuhën e karikaturës. Në vetvete, ajo është e thjeshtë, e kapshme shpejt dhe me mesazhe për të dyja palët; si për ata që stigmatizon, ashtu dhe ata që e shohin. Pastaj, ajo të bën edhe për të qeshur, pikërisht kur ti pandeh se ke harruar të qeshësh. Dhe
a ka gjë më të shëndetshme se humori!? Sidomos kur ai është si ky i Bujar Kapexhiut “Qesh e ngjesh!” Se kjo shejtan demokracie qenka vërtetë ashtu siç e përcaktonte Bernard Shou: sistem që na siguron se nuk do të qeverisemi prej njerëzish më të mirë nga sa meritojmë. Ajo do të ishte e përsosur sikur njerëzit të ishin siç i kërkonte Platoni, ose perëndi ose bij perëndish. Por aha… jemi shumë larg kësaj, për të mos thënë se nuk do të jemi kurrë të tillë. Pra, do mëkatojmë nga pak. Por mëkatet e atyre që quhen liderë, janë mëkate gjeniale, me pasoja katastrofike. Prandaj, duhen frenuar në vrapin e narcizmit dhe megallomanisë së tyre. Dhe mos kujtoni se ata nuk e ndjekin Bujarin me vëmendje në rrugëtimin e tij kritik, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk duket në ekspozitat e tij. Nga ana tjetër, është Bujari që i ndjek ata hap pas hapi. Pa u mërzitur, pa u lodhur dhe pa u dorëzuar kurrë. Nga ana e tyre, protagonistët e karikaturave të tij, asnjëherë nuk i kundërvihen atij. Nuk marrin guximin as ta kundërshtojnë ose t`i thonë se e ke egzagjeruar me mua. Kjo do të thotë se ai përherë ka të drejtë. Dhe pikërisht për këtë, ata i druhen atij. Në këtë kuptim, ai është kthyer në një institucion, ku opozitarizmi me të keqen e politikanëve është
kryefjala e tij. Por, duhet pohuar gjithashtu se pikërisht për këtë profil të tijin, që buron nga ky mision fisnik, Bepini delikat që e turbullonte deti dhe i trembej dikur kapter Ramiut, u prit aq ngrohtë dhe me aq dashuri në ekspozitën që çeli në qytetin bregdetar të Durrësit, ku me gjithë zemër e uruan për suksese të mëtejshme në udhën e tij krijuese, sipas motos së Lasgushit të pavdekshëm: Hija ime nuk di dhunë, / di veç frymëzim lirie, / dhe di punë, punë, punë, / mund pa fund për art magjie.