Per librin “Frederik Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë”, kritike nga Ermir Nika

EPILOGU I FREDERIK RRESHPJES

“Libri “Frederik Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë”, i botuar në një kohë kur kritika është tërësisht e kredhur në letargjinë e kahershme, do të jetë ndër të paktat vepra ku Frederik Rreshpja është jo vetëm protagonist, por dëshmon dhe hedh dritë përtej manisë së interepretimit apo manipulimit biografik të jetës së poetit.” – nga Ermir Nika.

Ndoshta kanë kaluar dhjetë vite, mbase relativiteti i kohës zhbëhet në përmasën e një verdikti që nuk i përket tokësores, por një hapësire pacak të përhapur pafundësisht në jetën dhe pasjetën e një gjenerate. Ngahera ai avitet dhe tkurret si një shpirt i mbetur mes dy botësh, ndoshta i mbrujtur me dilemën e të mërguarit qiellor, për të rrëfyer sërish vetveten. Largimi i tij nga sa mbaj mend ndodhi pikërisht ditën e 17 shkurtit të vitit 2006, data që për një koiçidencë të rastit shënonte përvjetorit tim të 28 – të lindjes, kur ashtu befas krejt ajri i mëngjesit u rëndua nga lajmet se poeti Frederik Rreshpja ishte ndarë nga jeta! Dhe për mua ishte një lajm që ndieja dhe prisja dita ditës, pasi Fredi na kish paralajmëruar prej kohësh për këtë rrugëtim të tij të fundmë.

Forma e tij fizike po e lëshonte pak nga pak aq sa herë herës, fryma e tij regëtitëse dhe silueta e mpakët po terrej vetëm si hije.

Në ditënetët e tij, të shkundura nga tradhëtitë dhe braktisjet e njëpasnjëshme të paktët qenë ata që e njohën dhe e vlerësuan si poet! Të tjerët, turmat e kudondodhura e panë dhe e përjetonin praninë e tij si një qenie endacake, i mbarsur me trillet e një të lajthituri apo iluzionet e kujtesës së dëmtuar nga vitet brenda absurdit të ekzistencës. Frederik Rreshpja, bohemi i përjetshëm i stinëve, i nëmur me art në askundin e tij, ishte njeriu që dukej se e bartëte me vete vdekjen e parakohëshme, dhe se ishte ai, biri fatalist i shekullit që po perëndonte dhe i një tjetri që po avitej disi i pasigurt në misionin e tij. Ai falë natyrës njerëzore u zhbë pak nga pak duke na lënë pas si testament vetëm vargjet e tij, që nuk di pse përngjajnë me hirin që përhapej nga krematoriumet reale apo virtuale të ndërtuara nga vet njeriu!

“Frederik Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë” një libër i autorit Petrit Palushi është një vepër krejt e veçantë në krejt morinë e prurjeve të shumta në botimet shqiptare. Në të ndihen se është derdhur në koherencë me vullnetin e poetit epilogu i Rreshpjes, rrëfimi i fundit para largimit nga kjo botë. Ai rivjen pas kaq vitesh në këtë dialog që hera herës ndihet se shndërrohet në një monolog mbi vetveten dhe të tjerët. Rradhëve të hedhura ashtu si rastësisht në një natë jo fort të zakonshme në qytetin e Kukësit, nuk ngurron të njohësh anët e njohura e të panjohura të Fredit, ku teksa rrëfehet si përpara një prifti gjatë bashkëbisedimit të shkujdesur në një kënd të veçuar të atij qyteti verior, ku vëren se ai krejt i vetëdijshëm tejkalon periudhat kohore në të cilat jetoi për të prekur ashtu në heshtjen e tij pakohësinë e pacak. Përgjatë leximit të këtij libri kupton se në krijimin e tij të janë njëkohësisht dy autorë; Frederik Rreshpja dhe Petrit Palushi. Me anë të dialogut dhe situatave të krijuara sundohesh nga një atmosferë e veshur me përkohëshmërinë e një njeriu që duket se nuk i përket më kësaj bote, dhe se jetën e sheh thjesht si retrospektivë. Por njëherazi edhe të një udhëtari që e kërkon prehjen tek një tjetër hapësirë, të përvijuar ashtu zbrazëtisht në eter, e sunduar nga pararendës dhe pasardhës të një epoke ku njeriu ishte njëkohësisht hero dhe viktimë e vetvetes! Libri “Frederik Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë”, i botuar në një kohë kur kritika është tërësisht e kredhur në letargjinë e kahershme, do të jetë ndër të paktat vepra ku Frederik Rreshpja është jo vetëm protagonist, por dëshmon dhe hedh dritë përtej manisë së interepretimit apo manipulimit biografik të jetës së poetit. Për rrjedhojë me këtë lëndë krejtësisht autentike, jam i mendimit se ky libër do të vlejë tej mase në të ardhmen duke ndikuar që nga brinja e saj të lindin të tjera vepra studimore apo monografike të cilat do të ushqehen me lëndën e pasur jetësore të këtij poeti të papërsëritshëm të lirikës shqiptare.

Ashtu si edhe në bisedat e drejtpërdrejta me të edhe në këtë botim, Fredi poezinë e ndiente si një akt shpritëror dhe njeriun si bartës të një misioni të pamundur. Figura e femrës përvijohet herë si mëkatare e herë si një shenjtore e një bote që rrezikon ekzistencën e saj. Ndërsa ashtu siç është e njohur për krejt botën poetike të Rreshpjes, një aspekt shumë përfaqësues i tij i përket portretizimit të atij profili ku janë shkrirë mjeshtërisht ndiesia me potencialin e fuqishëm artistik është padyshim ajo e nënës, një personazh sa konkret aq edhe poetik, që përcjell ndiesinë mbi mëmën e tij të cilën përgjatë gjithë jetës së mundimshme e ndjente si perëndi dhe në vdekje si engjëll mbrojtës, ndërsa dashurinë e përjetonte në kumtin e një deliri, ndoshta të mohuar brenda një realiteti në të cilin ai, poeti frymonte ndoshta si një qenie e padukshme i dënuar me indiferencën e turmave dhe fortesave!

Ende edhe sot kur njerëzmi po i jepet bindshëm virtualitetit dhe qenia njerëzore po mbruhet në ekrane polesteroli, shoqëria ende tradhëtohet nga pandehma nëse ky njeri ka qenë vërtet fëmijë i mëkatit apo thjesht e ka krijuar kujtesa! Por ai në të dyja gjendjet, është pikërisht ai, njeriu që ka ndikuar fort në jetën e atyre që e njohën fizikisht por edhe ata që e njohën nëpërmjet poezisë. Në vitet që ia përshkuan jetën e tij fizike, Fredi ishte mëse i ndërgjegjshëm se nuk ish veçse qenia e dënuar me përkohësi. Gjendja e tij kaplohej herë nga kriza të forta depresioni e herë nga lumturi fragmentare! Kohët e fundit Fredi i përngjante një shpirti që ish kapur rastësisht pas një forme të rëndomtë njerëzore ndaj në periudhën e fundit të jetës trupi i tij po shfaqte dukshëm shenjat e një qenie që dalëngadalë po dekompozohej. Damarët nuk i shquheshin më dhe vështrimi po i venitej dita ditës aq sa përhumbej pafundësisht në subkoshiencën e tij për të mbetur përjetësisht robi i saj. Në fund të gjithëkëtij rrugëtimi, i lodhur, dhe i dorëzuar përballë destinit, ai me vullnet të plotë iu dha qiejve, si një krijesë që nuk do të mund t’i përkiste më kurrë kësaj bote!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *