MBRETËROJ NË FRONIN TIM – Nga Hamdi Hysuka

Nga Hamdi Hysuka

S’I DËGJOJ VITET Ç’MË THONË

Nuk harrohet dita e fundit

kur s’u pamë më me sy,

s’kam se si t’i them katundit

ma ka borxh ndarjen me ty.

Jo se ishe bijë qyteti

të rinj sythe zemrat çelën,

ç’më godite si tërmeti

aq sa fort pasojat ngelën.

S’rrinim dot pa njeri-tjetrin,

sërish ëndrra shoh për ty,

nuk e di pse bëj të sertin,

foto shkolle mbaj në sy.

Rrij pa gjumë deri vonë,

e harroj zemrën te ti,

s’i dëgjoj vitet ç’më thonë,

jam i prirë për rini.

KËRKESË

Për një çast nga pas u ktheva

kur ndërtoja shoqëri,

s’kisha emër ndër beteja

as më parë, as tani.

Por mësova kuptim jete,

“Mirupafshim!” dhe kam thënë,

përmendore jo, për vete

kur kam ikur, nuk kam lënë.

Lart më mbajnë ato vite,

të rikthehem, kam kërkesë

shoqëri, ti që më rrite

po s’më deshe, kërkom ndjesë!

PA TY

Mes bukurive prin udha,

bashkë me këngën shkoj tutje,

më deh frymëzimi, muza

drejtim teje vij pa lutje.

Eci me të ëmblat fjalë,

të qesh e të thërras dua,

flladin me vete kam palë,

këngën e laureshës húa.

Pa ritme hapash, jo vrap

kjo udhë e blertë mërzitet,

sa kam ikur, erdha prapë

dashuri, pa ty nuk rrihet.

S’JETOJ PËR TY

S’jetoj për ty, s’jeton për mua

tjetërkund gremisa sytë,

por jam thirrur të të dua

në një dashuri të dytë.

Di ç’të bëj, s’drogohem lehtë

dot me ty s’e prek parajsën,

të vërtetën e vërtetë

fjalë Bible ma përplasën.

Kot moj dreqe më shastise

dhe po them, nuk të kam motër

s’më tha truri “jetën grise“,

dashurinë s’e bëj lodër.

KU JE SHOK?

Dikur mora dhe një ftesë

shok besnik që të më kishit,

afrom kohën ti kujtesë,

kur ia pimë gjakun gishtit…

Kur e kisha shok të zgjedhur,

kur s’na ndante dita as nata,

dhe forcohu, pa më trembur

shoqëri të pastër pata…

Ç’u mbush bota me mistere,

a je gjallë mor lum miku,

ndjej zhgënjim dhe rënie vlere,

tjetërsohet më besniku.

MBRETËROJ NË FRONIN TIM

Vite ka që jemi ndarë,

ç’ke që sot më fton aty,

plot kujtime zgjoj më parë,

në qytet kërkoj me sy.

Krejt pa pritur më ndal porta,

s’e kuptoj pse sillet ftohtë,

s’ecin dot këmbët e forta,

as korriku s’është i ngrohtë.

Gjurmë jete kam përballë,

s’ta braktisa dot vetminë,

kot takimi, si përrallë

nuk ma solli dashurinë.

Jo si humbës kthehem prapa,

s’më dhemb gjë, nuk ndjej trishtim

për të djeshmet s’po bëj hapa,

mbretëroj në fronin tim.

PA TITULL

Këtej Urës së Qabesë

me azilantë linjat plot,

nga sytë-këmbët për një shpresë,

udhës së pa udhë e pa Zot…

Dallëndyshe foleprishur,

shtegëtim nën qiell me shi,

prapa diellit duke ikur,

hesht foleja në vetmi.

Sikur s’paska shenja jete,

pikëllim në muzën time,

bij e bija mbush me derte,

nënëlokja mbet jetime.

S’KAM Ç’TË BËJ

Edhe sot më dukesh tjetër,

ç’ke që shihesh në pasqyrë,

lot të rinj, dhimbje e vjetër

s’paskam dorë për t’i fshirë.

Me një shpresë të pashpresë

pret të japësh buzëqeshje,

do ta mposht ndjenjën për besë

që në ëndërr të gjej prehje.

Mos më shkel nëpër kujtime,

mos hap “dosjen” si të njoha,

kundër meje dy qëndrime

kot i mban, kur s‘është koha.

Kundër teje kthehesh vetë,

kjo lloj loje s’paska fund,

s’kam ç’të bëj në të vërtetë,

e ke armën që më mund.

ANTISHTETI

Jam drejt rrugës, jo përpjetë

që ta gjej kërkoj durim,

s’kam mëkate te kjo jetë,

tek e keqja nuk kam kthim.

Jam i xhveshur nga partia,

s’ma merr peng sot timen zemër,

shtrirë i kam rrënjët e mia,

në vëndlindje, askund tjetër.

I përhershëm në lëvizje,

me vetveten zhvilloj luftë,

s’më nderon kjo qeverisje,

antishteti të mbyt trutë.

PRES TË VISH

Të pres të vish o Vit i Ri,

me toksorë, jo nga të Marsit

gati e kam një ceremoni,

gati kam dhe fjalën e rastit.

S‘jetohet nën çati të vjetër

me rroba që s’bien sipas trupit,

mbështetu mbi bazament tjetër,

mos rrëshqit humnerave të turpit!

E GRIS FJALËN “LAMTUMIRË!”

Ndalem. Për të fundit herë

ky stacion më përshëndet,

nesër me shokë të tjerë

tjetër korridor më pret.

Më pushton malli në zemër,

“Mirupafshim” sa vështirë,

po të mundem, në çdo libër

e gris fjalën “Lamtumirë!”

Larg Macukullit me blerime

hapi derën tjetër klasë,

shokëri, karriera ime

je për mua një parajsë.

PRAG FESTE

Plot me djem u mbush qyteti,

ikën, erdhën po nga deti.

pa medalje emigrimi,

brenda tyre ndrit gëzimi.

Largësi, emri të humbtë

mban larg nënës djem të shumtë,

të humbtë emri anekënd,

mos na ulsh në prehrin tënd!

MONOLOG

Nga një adresë anonime

çdo vit të ri marr urime,

fjalë, fjalë si më parë

ndjesi e faj të pandarë.

Monolog, asgjë më tepër

s’është i ri dhe as i vjetër,

sërish heshta, s’kam përgjigje

s’bëhem urë që lidh brigje.