Jam i emocionuar nga nderimi që më bani toka e poezisë… interviste me poetin e njohur Ferik Ferra

Poeti i njohur Ferik Ferra, flet pas nderimit me titullin më të lartë për poezinë, nga LSHPA “Akademik” në Kosovë më 24 Janar 2016

-Pak kohë më parë, njëra nga akademitë më të njohura të letërsisë në Kosovë, iu ka dhënë çmimin më të lartë “Akademik”, ç’mendoni për këtë rast, pasi Ju jeni nderuar dhe nga çmime të tjera të rëndësishëm në fushën e letërsisë?

-Pak ditë ma parë, me 24 janar të këtij viti, akademija “Pegaz” më dha çmimin e naltë “Çmimin për vepër jetësore” nga Lidhja Ndërkombëtare e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës. Dhanja e çmimit u ba në nji mjedis me artistë, poetë e shkrimtarë nga trojet tona etnike me gjithë kushtet atmosferike të vështira, ku temperatura arrinte deri në minus 20 gradë dhe bora kishte mbule gjithë Kosovën. Mbasi u nderuen me çmime akademikët e Kososvës, që kishin ndërrue jetë vitin që shkoi, znj. Migena Allati, kryetare e LSHPA të Kosovës, që drejtonte aktivitetin e madh kulturorë, thirri emnin tim. Ishte për mue nji emocion i madh dhe nji nder i rrallë, nji vlerësim për poezinë time, e cila nuk i përket vetëm Shqipnisë por edhe Kosovës dhe gjithë atyne që flasin ditë e natë gjuhën tonë të bukur shqipe, kudo që janë.

Nga emocioni nuk arrita dot të shprehja falënderimin e thellë për nderin që, vëllezërit tonë në Kosovë i banë poezisë sime, megjithëse u mundova të shpreh plotësisht atë mirënjohje e vlerësim me pak fjalë.

-Kosova është toka e poezisë shqipe, duke mbartur një mision të madh, historikisht e njohur, ç’marrëdhënie keni pasur dhe vazhdoni të keni me poezinë e Kosovës?

-Para vitit 1944 duke shfletue ndër revista e antologji, më kishte kap syu disa rreshta me poezi të Esat Mekulit. Pastaj heshtje. Kjo vazhdoi deri vonë, kur u hap pak mundësija të viheshim në kontakt të poezisë në Kosovë. Lexuem poetët e Kosovës me shumë vonesë, dhe më thanë të drejtën u befasuem me avancimin që kishte poezia në Kosovë. Duke mos dashur të rreshtoj shumë emna poetësh kosovarë, na mrekulloi poezia e Mekulit, Azem Shkrelit, Gjergjekut, Podrimes, Din Mehmetit, poetë dhe shkrimtarë kosovarë, të cilët me vargjet e tyne, me prozën e tyne, i kishin dhanë nji shtysë të ndjeshme poezisë në kohën që jetojmë.

Natyrisht, sod jetojmë me poezinë kosovare, mbasi i kemi dyert e hapuna dhe jemi gjithnji në korrent. Ashtu si poezia jonë dhe ajo kosovare mbart në vargjet e saja kohën që jetojmë, duke pas kalue nëpër njimijë privacione. Ajo asht poezia që lindi nga vuajtjet dhe gjaku që, Kosova u desh të derdhte edhe njëqind vjet të tjera, për të pa dritën e lirisë.

Poezinë kosovare un’ e kam dashtun dhe jam gjithnji në korrent të asaj që shkruen pena atje. Ajo nuk asht vetëm e Kosovës po e gjithë Shqipërisë.

-Momentet e çmimeve janë motivues, janë mision për të vazhduar punën. Ju punoni dhe botoni përdishmërisht, për ç’farë po punoni momentalisht?

-Vazhdoj punën për një vëllim të ri me poezi, por mosha na shtynë pak ma shumë mbas formës dhe na e ngadalëson pak rrjedhën, ndoshta na ban pak ma të kursy.

-Jeni poeti që keni në përvojën tuaj fazat e vështira dhe të rëndësishme nëpër të cilat po kalon poezia shqipe, ç’farë i këshillon poezisë shqiptare sot dhe në të ardhmen, duke pasur dhe një traditë të shkëlqyer të poezisë shqipe?

-Kohnat në të cilat jetojmë kanë marrë rend dhe ecin me shpejtësi të madhe. Na duhet ta ndjekim kohën që jetojmë, duhet domosdoshmërish ta fusim në vargjet tona. Kjo do të jetë shembull dhe model për brezat që vijnë, për poetët e ri. Poezisë sonë shqipe i duhet të dalë jashtë kufijve të Shqipnisë. Të ndjekë ç’ka shkruhet rreth e qark nesh, cilat janë të ardhurat e reja nga poezitë motra, që shkruhen rreth nesh dhe ma gjanë, gjithnji duke kërkue ma të mirën e ma të bukurën.

-Si e vlerësoni zhvillimin dhe premisat e rrugëtimit ë poezisë së sotme?

-Poezija jonë shqipe, kudo ku ajo shkruhet, jo vetëm brenda në Shqipni po në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi ka brenda vetes modernen. Perfeksionohet, përpunohet dhe me gjuhën që kemi shpreh gjithnji e ma shumë art, art, i cili s’ka fund. Kjo duhet të jetë rruga e poezisë sonë shqipe, të prekë mendjen dhe zemrën e atyne që e lexojnë deri në thellësi, të zejë sa ma shumë kohë, të jetë jo vetëm për kohën që jetojmë, por edhe për të ardhmen për të marrë karakter të pavdekshëm.

Lidhun me këtë që thashë ma lart, të gjithë kemi lexuar dhe po lexojmë se shembujt nuk i mungojnë letërsisë shqipe, që nga vitet 1600 e në vazhdim, poetët shqiptar dhe toka shqiptare ka prodhuar poezi që i ka rezistuar kohës, duke plotësuar ma së pari misionin e saj dhe pastaj duke mbartur dhe kohën e shqiptarëve në kuptimin ma real të fjalës.

Unë mendoj se sido të shfaqen kohët, shqiptarët kanë një instinkt dhe një shqisë të aftë për t’i ruajtur ekuilibrat, për të kuptuar mirë lëvizjen dhe vijimin e rrugës që ka bërë dhe poezia shqipe, duke mbartur një cilësi të rëndësishme, karakterin kombëtar të saj.

Prishtinë- Tiranë, Janar – shkurt 2016

Intervistoi D. Cani

Kangë për Kosovën

Kosovë hapësin’ ilire,

fjalë e pavdekshme trimnie, Kosovë!

Gjoks divi i përleshun

nëpër shekuj gjaku e lavdie kombëtare.

O shembëlltyrë urtie, Kosovë,

amë e pashterr e dokeve shqiptare:

bese, trimnie, fisi e bujarie.

Sa ithët u shfry mbi rrafshin tand dëniku1, Kosovë

mbi atë dëshirë që ti ushqeve në zemër,

se kishin me të njomtue një ditë, buzët e lirisë,

e jo me t’u vendue në qafë zgjedha e robnisë, Kosovë!

Për ty nuk zbardhi drita moj Kosovë,

kur lodhun po uleshe Grykës së Kaçanikut,

por veç nji muzg i mbrujtun loti e gjaku

përhapej në qiellin e zymtë të shikimit tand.

Mbas buzëve tue u përtrypun dhe me gjak,

shkoje, o Kosovë tu e i skuqë trojet ilire,

trojet shqiptare që shekulli i padrejtë

t’i kishte çue ty shkjet për zot në prag.

Ti s’u përkule, ti nuk e krruse shtatin,

prej shpirtit tand veç kuq e zi buron,

sepse, o Kosovë, kurrë zemra dyshë nuk ndahet,

se drita sado larg të jetë prej planetit,

nji ditë do të vijë me u shprazë mbi trojet e tueja

me ta shkëlqye ty Fushën e Mëllenjave,

që ta zezuen kaq mot çizmet e hueja.

Tiranë, qershor 1963

Në kopshtin e lirisë

Kushtuar Azem Hajdarit

Plumbat u futën fshehtas në kopshtin e lirisë,

shkuen rrezet e zambakëve në dimnin e përjetshëm,

nga rrobja e flamurit nji shqipe ngrihet letshëm,

çan gardhin e vetëtimave drejt cakut të përjetësisë.

Nata e hodhi shkrumbin në thesin blu të agimit,

dhe ia mbylli grykën me lakun e drejtësisë,

nga lëndinat e qiellit tabanët e kerubinit,

therin kambët duke shkelun mbi rrugët e Ilirisë.

Yjet vërtiten lodhshëm në elipset e zbrazët,

vejushat mbështjellin shpirtin me petkun e ferrit,

jetimët ngopin sytë me lulet e djerrit,

në sallën e gjyqit çudia na len me gojë hapët.

Tiranë, maj 2001

1 rrebeshi i kohës

Natë Dardane

Rruga i përdrodhi malet deri në fushë

malet që kan ngecun çarçafët e bardhë

drejt e në qiell,

mandej fusha Dardane

mbulue me terrin e natës Dardane

ku korr hana nën shoshën e reve

dridhmat e floririt të rrezeve

mbi borën e bardhë të fustanit të nuses.

Anash rrugës drita qytetesh

a thue nata Dardane i ka këput yjet e qiellit

e i ka hedhun mbi heshtjen e nuses së bardhë.

Bash në udhëtimin tonë të fantazisë

ecën dhe kalorsi i Vrana Kontit diku,

çan borën me trokamën e kalit,

me pelerinën lidhun mbi krahë,

mbasi e ka këputun copë në qiellin e errët.

Gjegj armët turke

e kan futun në rreth Krujën

po e ngecin zaptimin në gurët e kalasë.

Ai zbret nga monumenti

bashkë me trimat Dardanë

merr rrugën e kthimit drejt perëndimit.

Nën borë toka Dardane e butë e shkrifët

me gjakun e eshtrat e bijve në gji,

që preferuen ta përjetonin lirinë

në heshtjen e përjetshme.

Në flakën e dritave na mikpret Prishtina

mbulue me terrin e natës Dardane,

që pret agimin

me andrra e reja me shpresa të reja.

Tiranë, 29 janar 2016

Kuajt arabë

Mjegulla vuni gjyslykë xhami

në ballkonin e katit të gjashtë

gri mëndafshi mbi pjergullat e territ

që qielli ua uli nga rekuizita e hapsinës.

Dy tre xixa drite venitin kandilët

kah qërrojnë pellgun flu të mjergullës

ka ardhun mysafir nji katund

para lindjes së Krishtit

me thesin e shekujve në krahë.

Koha vonon orët në buzët e heshtjes,

deri në një qoshe të largët dielli,

diellit që fort po ndrit e pak po nxe

ble në tregun e stinëve nga një vis tjetër,

Kuajt arabë me shalat elegante lidhun

ngarkue me kohën reale mbi shpinë

i këpusin krahun e djathtë rrugës

me qerpikë e vetulla para semaforëve.

Rrëshqasin togat e zeza mendjet e avokatëve

në shakujt e ligjeve, të buta

ndërpre herë mbas here nga kryetari i sallës

që kërcet çekiçin mbi taketuken e tavolinës.

Milano, 28. 12. 2015