DASMA – Tregim satirik nga Iliaz Bobaj

Tregim satirik nga ILIAZ BOBAJ

Dasma filloi si të gjitha dasmat.

– Hajde gëzuar, mirëseerdhët në dasmën e djalit tim të parë dhe jua shpërblefsha në gëzime !- ngriti gotën i zoti i shtëpisë.

– Gëzuar ! T’u trashëgohen ! – iu përgjigjën urimit të tij, një sërë urimesh nga të ftuarit e shumtë dhe vështrimet e të gjithëve u kryqëzuan me ato të çiftit të ri, që rrinin përkrah njëri- tjetrit si borëbardha me princin e ri.

I zoti i shtëpisë shkoi me radhë tek të gjithë të ftuarit, trokiti gotën, i falënderoi dhe shkëmbeu urimet e zakonshme. Dasma hyri krejt natyrshëm në rrjedhën e vet. Ishte një mbrëmje fundkorriku, por me një fresk të mrekullueshëm. Këtë fresk e krijonte edhe oborri ku ishin shtruar tryezat, të cilin e mbulonte një shtratore hardhie, por edhe klima malore e fshatit. Të ngrënat dhe të pirat ndiqnin njera- tjetrën. Shakatë dhe humori ndiqnin rakinë.

Të zotët e shtëpisë i gëzoheshin me gjithë shpirt këtij mjedisi festiv dhe përpiqeshin që të ftuarve të mos u mungonte as gjëja më e vogël. Ata lumturoheshin kur dëgjonin këngën që hidhte valle gojë më gojë. Ishte gëzimi i tyre i parë…

Ndërkohë orkestra shpërtheu me gjithë harenë e saj dhe një dasmor, i cili rrinte në krah të të ftuarve nga krahu i nuses, u ngrit në valle. Pas tij edhe të tjerë. Por njeri, padashur, preku me mëngën e këmishës gotën e tij. Gota u kthye dhe u derdh. Por as ai që e derdhi, as të tjerët aty pranë, nuk e vunë re. Sytë e të gjithëve ishin mbërthyer
tek vallja, që i kishte marrë në krahët e saj.

– Kush e derdhi gotën time ? – pyeti i pezmatuar ai që i patën derdhur rakinë, kur u kthye në vendin e vet.

Askush nuk foli.

– Ti krushk ma ktheva ? – iu drejtua ai të ftuarit nga fisi i nuses, që rrinte përkrah tij.

– Jo.

– Po kush atëhere ?

– Nuk e di. Tani po e shoh edhe unë.

Biseda po bëhej me zë të lartë dhe vëmendja e të tjerëve u përqëndrua aty.

– Më thuaj, kush ma derdhi rakinë !- thirri me zë të lartë gotëderdhuri.

– Të thashë që nuk di gjë.

– Mos i bjer në qafë krushkut !- i foli një burrë i moshuar mustaqegjatë nga krahu tjetër.

– Atëhere ma derdhe ti, – iu drejtua atij gotëderdhuri.

– Nuk ta derdha unë, po mblidhi frerët e gojës, se nuk u bë ndonjë hata e madhe ! Ja, e mbushim përsëri. Dhe i afroi shishen.

– Jo, jo, jo ! Gota ime nuk mbushet përsëri, pa marrë vesh se kush ma derdhi.

– Epo mirë atëherë. E zëmë se ta derdha unë padashur. U qetësove tani ? Hajt, pra,

sille të ta mbush përsëri !

– Pse ma derdhe ?

– Sill gotën, të thashë !

– Nuk e sjell !

– Epo mirë, mbaje bosh si trabuzanët e rakisë pas dasmës !

Ndërkaq në bisedë hyri një i afërm i gotëderdhurit.

– Kjo nuk shkon. Edhe i derdhni gotën, edhe e fyeni. As njerën, as tjetrën nuk jua ka

borxh.

I zoti i shtëpisë u gjend pranë gotëderdhurit:

– Na fal, – i tha. – Sille gotën, të lutem, të ta mbush përsëri !

– Aaaa, jo ! Ti i zoti i shtëpisë, do bëje mirë të gjeje atë që më derdhi gotën dhe jo të flasësh sikur ke të bësh me ndonjë fëmijë,- ia ktheu ai dhe vuri dorën si çadër mbi gotë.

– Mos dashke t’i marrë të gjithë në pyetje si në hetuesi ? – ndërhyri jo pa ironi mustaqegjati.

I afërmi i gotëderdhurit u ngrit nga vendi me vrrull, rrëmbeu gotën e mustaqegjatit dhe ia ktheu në pjatë. –Të vjen mirë tani ? – e pyeti me një kënaqësi të egër. Mustaqegjati, që nuk e priste një veprim të tillë, i nguli vështrimin dhe po e ndqite me sy, ndërsa tjetri po kthehej në vendin e vet. Mirëpo, sapo mbërriti aty, një djalosh e priste me një gotë rakie në dorë, të cilën ia derdhi në kokë. Gotëderdhuri rrëmbeu gotën e krushkut nga fisi i nuses dhe ia përplasi në fytyrë. Një krushk tjetër nga fisi i nuses i doli përpara për ta ndaluar, por gotëderdhuri, duke menduar se ai do ta godiste, rrëmbeu një shishe dhe ia derdhi në kokë, ca atij, ca krushkës në krah të tij, e cila, për t’u mbrojtur, u anua dhe ra nga karrigia përtokë.

– Këtu nuk kemi ardhur të matemi me gra !- tha një burrë rreth të tridhjetave dhe iu turr gotëderdhurit me një shishe birre në dorë. Por birra u derdh mbi kokën e një të ftuari, që rrinte ndërmjet tyre, i cili u ngrit rrufeshëm dhe i derdhi shishen e rakisë në kokë. Një tjetër u ngrit për ta mbrojtur. Në pak çaste, të gjithë të ftuarit ishin ngritur në këmbë dhe, dashur padashur, kishin hyrë në vorbullën e rrëmujës. Nuk kish mbetur njeri pa u larë me pije, që nga koka deri tek këmbët dhe dukeshin sikur sapo kishin dalë nga deti, ku ishin futur me gjithë
rroba. Të mbroheshe ishte e pamundur, se pijet derdheshin lumë. Kur mbaroi rakia dhe birra, rrëmbyen shishet bosh, të cilat i përdorën si mjete të forta për goditje të drejtpërdrejta. Nuk shkoi shume dhe të gjitha shishet u thyen. Por ato bënë atë që nuk mundi ta bënte pija, lanë plagë dhe shenja të freskëta goditjeje. Tek-tuk rridhte edhe gjak. Ndërkohë gotëderdhuri rrëmbeu pjatën me mish dhe i ra mustaqegjatit. Nipi i mustaqegjatit i ra me pjatë në fytyrë gotëderdhurit. Por edhe të tjerët nuk mbetën pas. Pjatat fluturonin sa andej- këtej. Më të kërkuarat u bënë pjatat me sallatë, pasi ato kishin efekt të dyfishtë: edhe goditjeje, edhe përlyerje.

Pas kësaj përleshjeje, e cila ishte dukshëm një shkallë më lart se ajo e pijeve dhe shisheve, nuk mbeti asnjë pjatë pa u thyer. Edhe plagët dhe shenjat mavi u shtuan së tepërmi. Por edhe gjak rridhte më shumë. Dikush thërriste me ofshamë: – Oh, dora ime !

Krushku nga fisi i nuses, kur pa të shoqen e rrëzuar nga karrigia në gjendje vajtuese, vuri re se i ishte grisur ndonjë pëllëmbë fustani. Duke menduar se ia grisi afërndenjësi, iu turr gruas që rrinte përbri këtij të fundit, i mbërtheu fustanin dhe duke ia tërhequr me sa fuqi kishte, ia shqepi deri në rrëzë të kofshës. Ai që rrinte pranë
gruas fustangrisur, iu turr si i zënë nga amoku krushkës tjetër nga fisi i nuses dhe ia ndau fustanin mëdysh. Në pak sekonda u grisën të gjithë fustanet e grave, të cilat thërrisnin e mallkonin, po kush i dëgjonte ?

Në mbarim e sipër të përleshjes për grisjen e fustaneve, nipi i mustaqegjatit iu afrua gotëderdhurit, të larë fund e krye me raki dhe i vuri zjarrin me çakmak. Një mesoburrë rrëmbeu llastikun, hapi çezmën aty pranë dhe filloi ta shuante. Po një tjetër erdhi rrufeshëm nga prapa dhe i vuri atij zjarrin. Ai e la llastikun, kërceu përpjetë si një fëmijë që kërkon diçka me zemërim dhe ia dha vrapit midis luftuesve. Në kalim e sipër morën zjarr edhe katër- pesë dasmorë të tjerë.

Zjarri ishte pikëkthesa e asaj beteje dasmore. Në përleshje për të shuar njëri- tjetrin, morën zjarr edhe të tjerë. E meqë uji nuk mjaftonte për t’i shuar, shumica, duke u djegur e duke lënë tek- tuk ndonjë rrobë që digjej apo tymonte, ia mbathën për në shtëpitë e tyre. Por falë qëndrueshmërisë së lartë dhe sedrës luftarake të disave, beteja vazhdoi ende. Një djalosh rreth njëzetvjeçar, duke parë babanë e tij të përpirë nga flakët, tërhoqi telin e një llampe elektrike, që varej në shtratoren e hardhisë, i hoqi me shpejtësi llampën, nxorri dy telat fundzhveshur dhe ia bashkoi në trup atij që i vuri flakën të atit.

– Na, qen bir qeni ! – i shfryu gjithë mllef.

I godituri me rryme elektrike ra përtokë, u rrotullua dy- tri herë si ai futbollisti i penguar fuqishëm nga kundërshtari, u ngrit dhe fluturoi në drejtim të shtëpisë së tij. Të njëjtin veprim bënë edhe tre- katër të tjerë me llampat elektrike që vareshin në oborr.

Futja e rrymës elektrike ishte vendimtare në atë beteje dasmore. Ajo, jo vetëm që i largoi të gjithë të ftuarit, por, në përleshje e sipër, mori zjarr edhe shtëpia. Zjarri e përpiu atë në pak minuta.

Të zotët e shtëpisë nuk dinin ç’të bënin, u hutuan, çirreshin e vajtonin si në një kob të rëndë. Nuses i ra të fikët. Për ndihmë as që bëhej fjalë. Të gjithë të ftuarit, ca rrobashqyer, ca me plagë që kullonin gjak, ca me shenja mavi në fytyrë e ca me ndonjë dhëmbë, dorë apo këmbë të thyer, kishin marrë arratinë. Veç kësaj, çdo shtëpi
merrej me të plagosurit e saj të sapokthyer nga dasma.

Dasma u mbyll me ulërima